Serbia larg zgjidhjeve me Kosovën, Nesho: Ballkani i Lirë Europian alternativë ndaj “Ballkanit të Hapur” të Rama-Vuçiç
Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho shprehet se tensionet e fundit në very të Kosovës dëshmuan faktin se sa larg zgjidhjeve qëndron Serbia. Nesho shprehet se vetëm Ballkani i Lirë Europian mund të jetë alternativë ndaj “Ballkanit të Hapur” të dyshes Rama-Vuçiç.
Partia e Lirisë vlerëson se tensionet e krijuara nga nacionalistët e rinj të Beogradit ditët e fundit tregojnë qartë se sa larg qëndron Serbia në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe europianiste, që sigurojnë paqe dhe stabilitet në rajon.
Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho thotë se në këtë klimë tensioni dhe nxitje për konflikt, në një skenar që Rusia shikon me interes për të shtrirë influencat e saj dhe konfliktin në Ballkan, kryeministri Rama përpiqet më kot të gjejë zgjidhje kompromisi tek Ballkani i Hapur.
Në deklaratën e tij, Nesho thekson se “Ballkani i Hapur”, është një iniciativë e vjetër serbe për dominim e saj ballkanik, një iniciativë që sjell ndarje dhe jo integrim, është një iniciativë e imponuar popujve të Ballkanit nga interesat e ngushta për pushtet të liderëve të kapur, që zgjidhjen e gjejnë jo në vlerat dhe parimet europiane, por në kompromiset me nacionalistët dhe lëshimet pa princip.
Partia e Lirisë, shprehet Nesho, është për Ballkanin e Lirë të Vlerave Europiane dhe jo Ballkanin e Hapur për influencat Ruse dhe Kineze. Një Ballkan të Lirë për të bërë zgjidhjen e tij për integrimin Europian, një Ballkan të lirë nga frika e rikthimit të nacionalizmave dhe rindarjes së tij në linja të pastra etnike.
Nesho shprehet po ashtu se pamë një kryeministër Shqiptar të mbajtur peng nga protagonizmi i tij i gabuar, ‘që fshihet si struci për të mos lënduar mikun e tij Vuçiç’.
Nuk është vetëm qëndrimi i tij mohues ndaj rolit dhe cështjes së Kosovës, por, shprehet Agim Nesho, sot vihet në dyshim e ardhmja jonë europiane e një rajoni që është dhe i takon vlerave perëndimore.
