Tabaku: 1 në 3 shqiptarë se kanë të sigurt bukën e gojës, paratë shkojnë te oligarkët e inceneratorët
Përmes një postimi në Facebook, deputetja demokrate Jorida Tabaku shkruan se shqiptarët punojnë për oligarkët dhe qeveritarët.
Sipas saj, për shqiptarët çmimi qumështit dhe nënproduktet e tij do të rritet edhe më tej këtë javë, ku një litër ka shkuar në thuajse 200 lekë.
Ajo thekson se dikush mund të argumentojë se lufta në Ukrainë ka rritur çmimet dhe për rrjedhojë kostot e biznesit, por qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat.
Tabaku: Shqiptarët punojnë për oligarkët/qeveritarët. Për shqiptarët çmimi qumështit dhe nënproduktet e tij do të rritet edhe më tej këtë javë. Çmimi qumështit shkon në thuajse 200 lek ndërkohë që priten të rriten nënproduktet e tij. Arsyeja pas kësaj rritje të dytë lidhet me kostot e larta të produkteve të para. Dikush mund të argumentojë se lufta në Ukrainë ka rritur çmimet dhe për rrjedhojë kostot e biznesit. Askush nuk mohon ndikimin e luftës. Por kjo e fundit mbetet alibi derisa qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat. Ku shkojnë këto të ardhura?! Në një vend ku 1 ndër 3 shqiptarë nuk e ka të sigurt vaktin a nuk do ishte një politikë me sens rishpërndarja e të ardhurave që rriten prej inflacionit?! Patjetër që po!
Madje më e logjikshme do të ishte heqja e disa taksave që aplikohen në konsum ashtu që shqiptarët të kenë më shumë në kuletën e tyre. Heqja e taksave do qe zgjedhja dhe zgjidhja! Fatkeqësisht jo! Qeveria aplikon politika të ngjashme si në kohë lufte dhe në kohë paqe! Pse?! Sepse me taksat e inflacionuara ajo paguan PPP/Koncesione. Merrni inceneratorin e Tiranës që do të indeksohet me normën e inflacionit. Pra 30% e shqiptarëve mezi paguajnë bukën e tyre kurse inceneratori Tiranës merr milionat shtesë nga arka e shtetit. A punojnë shqiptarët për oligarkët/qeveritarët që janë kthyer në mish e thua?! Shifrat thonë që po! Njësoj dhe arka e shtetit! Padyshim dhe xhepi shqiptarëve!
