Emigrantë të paligjshëm nga Korça drejt Tiranës, pranga bashkëpunëtorëve, arratiset shoferi

Dy persona ranë në prangat e policisë së Korçës për transportim të  emigrantëve të paligjshëm ndërsa një i tretë mundi të arratiset.

Blutë arrestuan shtetasit Gentiana Lipo dhe Klorent Larti dhe u shpall në kërkim shtetasi Kostandin Ziu.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se një shtetas do të transportonte me një automjet tip "Rang Rover", emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit, koordinuan veprimet dhe në aksin rrugor Korçë-Maliq bënë të mundur lokalizimin e automjetit me drejtues shtetasin Ziu, të cilit i bënë shenjë të ndalonte.

23-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të tyre, por ka ndërruar drejtimin e lëvizjes dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Korçës.

Në afërsi të kryqëzimit të fshatit Çiflig, Korçë, për shkak të shpejtësisë, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një mur rrethues, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.  

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit, pasi ka vënë re se ishte akoma nën ndjekjen e Policisë, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira, ka mundur të largohet nga vendngjarja.

Në automjetin e braktisur u gjetën shtetasja Lipo, e cila u arrestua nga Policia, si dhe 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.     

Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua edhe shtetasi Klorent Larti, i cili është afruar në vendin e ngjarjes dhe është konfliktuar me punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së detyrës, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për t'u larguar dhe duke i kundërshtuar me dhunë ata.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasja Gentiana Lipo dhe shtetasi Klorent Larti janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. 

Po vijon puna për kapjen e shtetasit Kostandin Ziut dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.