“I bëjmë thirrje Serbisë të zbatojë marrëveshjet”, Bumçi: I drejtë vendimi i Kosovës për të vendosur reciprocitet
Ish-Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi në një deklaratë për mediat shprehi mbështetjen për vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me Republikën fqinje të Serbisë.
Sakaq Bumçi ju bëri thirrje qeverisë së Serbisë që t’ju përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut dhe ti zbatojë ato pa vonesë.
Në fjalën e tij nuk la pa përmendur as qeverinë shqiptare heshtjen e të cilëve e cilësoi si të pajustifikueshme.
Bumçi: Ne mbështesim si të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me republikën fqinje të Serbisë. Qeverisë së Serbisë ju bëjmë thirrje t’ju përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut dhe ti zbatojë ato pa vonesë. Ne dënojmë përpjekjet e Serbisë përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin destabilizimin e Kosovës. Përshëndesim vendosmërinë e autoriteteve të Kosovës, angazhimin e KFOR, SHBA dhe të BE për ç’tensionimin e situatës dhe garantim të paprekshmërisë së autoritetit dhe të Kosovës. E pajustifikueshme heshtja e autoriteteve më të larta shqiptare duke cenuar rëndë interesin kombëtar dhe kornizën e sigurisë rajonale. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë hapat e nevojshëm në përpjekje për të ndihmuar qeverinë e Kosovës në ushtrimin e plotë të autoritetit të saj dhe të dënojë autoritetet serbe për çdo akt që nxit konfliktin. Duam të theksojmë hipokrizinë e Ballkanit të Hapur.