"E goditi me grushte dhe në tokë"/Dëshmitarja për vdekjen e 56-vjeçarit: Alarmin e dha infermierja. Ishte pa ndjenja dhe i ftohtë
Ndërhyrja për të shuar një sherr parkimi i mori jetën 56-vjeçarit, Nikolin Staka mbrëmjen e 30 korrikut.
Ai ishte banor i ri i atij pallati dhe lagjeje në zonën e "21 DHjetorit", ku siç tregon qiradhënësja e banesës Mimoza Krasniqi kishte vetëm një muaj që ishte transferuar.
Një parukiere që kishte dyqanin e saj aty parkon mjetin para pallatit, pronë të cilën Alban Meneri, autori i dyshuar i vrasjes, e dispononte me letra dhe ky debaton me të.
Staka ndërhyn në sherr nga dritarja e banesës, duke i kërkuar Menerit që të mos zihet me gra.
Kaq ka mjaftuar që Meneri ti kërkojë të zbresë poshtë që të sqarohen bashkë. Superior ndaj tij fizikisht e ka goditur me grushte dhe e ka hedhur në tokë Stafën. Siç tregon gruaja, Meneri nuk ka ndaluar së godituri me grushte Stafën edhe pasi e ka rrëzuar në tokë.
"Kishte një muaj që kishte ardhur te ambientet tona me qira. Ky (autori) vjen dhe i thotë kësaj zonjës së parukerisë mos e lër makinën këtu dhe debaton me të. Zotëria (viktima) del në dritare dhe i thotë mos debato me zonjën se është femër. Ok i thotë ky, zbrit dhe të sqarohemi bashkë. Zbret ai dhe e ka hedhur në tokë. Jo vetëm e ka dëmtuar me grushte por kur ka rënë në tokë ai e ka goditur sërish me grushte. Ai ishte i dobët fizikisht dhe njeri shumë i urtë".
Pas përleshjes Staka është është futur në banesë dhe nuk ka shkuar për mjekim. Qiradhënësja tregon se ka qenë gruaja që i shërbente, infermierja që ka dhënë alarmin të nesërmen pasi nuk po i hapte derën.
Më pas është futur bashkëshorti i dëshmitares nga dritarja e tualetit dhe e kanë gjetur të ftohtë, pa ndjenja.
"Pas kësaj ky ka ardhur në shtëpi. Më pas erdhi bashkëshorti dhe i thotë çfarë ke. Hiç, i ka thënë, do ta vras, ai do vrarë dhe si ka treguar burrit çfarë ka ndodhur. Të nesërmen vjen një person që i shërbente, se ky i kishte fëmijët dhe gruan jashtë, vetë ishte i sëmurë. Kjo që i shërbente punonte infermiere. Dhe i thotë burrit nuk po më hapet dera. Shkoi burri, hyri nga dritarja e tualetit dhe e ka gjetur pa ndjenja të ftohtë. Më pas erdhi policia dhe urgjenca. Kishte marrë goditje në fytyrë, ishte i nxirë totalisht".
Ky duket një krim i paralajmëruar se zanafillën siç tregon banorja e lagjes e ka te konflikti për pronën.
"Jam banore e lagjes prej 30 vjetësh. Në 2015 kemi pasur një konflikt gjyqësor me personin që shkaktoi dje aksidentin, Alban Menerin. Në 2015 ai ekzekutoi një vendim të gjykatës, gjykata fliste për atë pronën atje, eskperti fliste për pronën 2 dhe përmbarimi vjen dhe ekzekuton vendimin nga prona atje, këtu duke prishur murin, vendos murin te banesa ime dhe prish shkallët e aktivitetit. Vendimin e përdori për të marrë certifikatën e pronësisë të kësaj pjesës këtu të rampës. Ne rampën në 1993 e kemi me vendim gjykate, e kemi marrë parking, kemi një licencë parkingu dhe kemi ushtruar aktivitetin e parkingut prej 30 vitesh. Përdori vendimin e gjykatës aty për të marrë certifikatën. Gjithë kleçka ndodh se Hipoteka e ka pajisur me certifikatë pronësie te kjo prona këtu.
Në këtë pronë janë familjet Meneri që janë 17 pronarë aktualisht te libri i regjistrit. Ky e ka nxjerrë këtë certifikatën me urdhër korrigjimi. Sa herë vijnë personat dhe parkojnë makinën qoftë këtu apo aty ky zihet me banorët dhe nuk është hera e parë. Jo vetëm me banorët e lagjes, por edhe me të jashtëm.Gjithçka ka ndodhur se personi është pajisur me certifikatë pronësie dhe ka marrë një autoritet se është toka ime dhe askush nuk duhet të parkojë makinën këtu. Para dy muajsh ka sjellë dy maune me zhavorr këtu, kemi bërë shkresë te policia, komisariati 2. Komisariati i ka bërë shkresë bashkisë që të heqë zhavorrin dhe prapë se ka hequr. Zhavorri bllokon gjithë kanalizimet".
