“Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare”, Meta: Klasa politike në Kosove, tregoi pjekuri politike

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një deklaratë për mediat u shpreh se  edhe këtë herë klasa politike e Kosovës treguan pjekuri politike dhe ishin njëzëri në mbrojtje të interesit shtetëror.

Sakaq Meta tha se ngjarjet e mbrëmshme janë tregues i qartë që Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare

Ilir Meta:  Pas një tensioni artificial të krijuar në Veriun e Kosovës dhe në Pikat e Kalimit Kufitar Kosovë-Serbi, të nxitur nga ana e Beogradit, jemi të kënaqur që situata tani është shumë më e qetë dhe po shkon drejt stabilizimit të plotë. Edhe këtë herë klasa politike në Kosove, treguan pjekuri politike dhe ishin njëzëri në mbrojtje të interesit shtetëror, integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe sundimit të ligjit.  Ngjarjet e mbrëmshme janë tregues i qartë që Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar, të firmosura në Bruksel me Kosovën, përkundrazi i bllokon ato dhe i keqpërdor maksimalisht vetëm në interes të politikave destruktive dhe destabilizuese duke u fshehur pas grupeve kriminale në Veri të Republikës së Kosovës.

“Në BE nuk mund të shkohet me bllokime të marrëveshjeve ndërkombëtarisht të obligueshme, siç po bën Serbia. Nxitja e tensioneve nga ana e Serbisë në Veri të Kosovës dhe më gjerë në rajon, është në dëm jo vetëm të rajonit tonë, por edhe mbarë Europës. Institucionet e Kosovës treguan pjekuri dhe mençuri që bashkëpunuan dhe pranuan këshillën e aleatëve perëndimorë, BE dhe SHBA, që për 30 ditë të shtyhen masat e reciprocitetit të kalimit të qytetarëve, mallrave dhe mjeteve motorike me Serbinë”, u shpreh Meta.