"Beogradi të tërheqë grupet kriminale", Meta: Qeveria shqiptare u fsheh si struci, BE të reagojë
Ish-presidenti Ilir Meta, tashmë drejtues i Partisë së Lirisë e cilësoi destruktive dhe destabilizuese sjelljen e serbëve në veri të Kosovës.
Beogradi, tha ai, duhet të heqë dorë nga nxitja e grupeve kriminale.
Meta: Ajo bën sikur nuk ekzistojnë me qëllim që të favorizojë një situatë jashtë kontrollit në veri të Kosovës, ose më saktë vetëm në kontroll të krimit të organizuar të cilin për fat të keq ajo e riaktivizon vazhdimisht si një mjet shantazhi dhe destabilizimi.
Ndërsa tha se qeveria shqiptare po bën rolin e strucit duke u fshehur para këtyre ngjarjeve të rënda, Ilir Meta një mesazh kishte dhe për Bashkimin Europian.
Meta: Serbia mbylli kufijtë, ky tjetri mbylli gojën dje. Bashkimi Europian duhet të jetë më këmbëngulës dhe të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjet e firmosura me Kosovën si dhe të jetë i qartë se çdo tendencë për destabilizimin e rajonit do të dënohet dhe do të ndëshkohet.
Meta prezantoi edhe Brisida Shehajn si kordinatore kombëtare të luftës kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë, ndërsa tha se misioni i kësaj force politike është dekorruptimi i politikës, përfshirë këtu qeverinë apo opozitën.

