Rrezikojnë të mbyllen! Agronomia, Inxhinieria Pyjore e Peshkimi nuk tërheqin studentë në UBT
Nga 35 programe studimi që këtë vit u shpallën prioritet kombëtar gati gjysma janë degë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Rektori Fatbardh Sallaku thotë se pjesë e kësaj vendimmarrje janë 15 programe.
Nëse maturantët do t`i zgjedhin do të përjashtohen nga tarifa dhe do të përfitojnë bursë sa paga minimale.
“Unë shpresoj shumë që krahas këtyre masave të marra sa u takon tarifave dhe pagesave, shpresoj që të rinjtë të kthejnë vëmendjen kah këtyre programeve.”
Në Universitetin Bujqësor janë 5 degë që për shkak të numrit të ulët të studentëve rrezikojnë të mbyllen.
“Të rrezikuara janë ato programe që shihen nga të rinjtë me një paragjykim.”
Rektori Sallaku thotë se të rinjtë që ndjekin studimet në këtë institucion e kanë të sigurt punësimin pas diplomimit, pasi tregu i punës vuan mungesës e specialistëve të bujqësisë.
“Nevojat në treg janë të shumta dhe janë shumë të kërkuara.”
Aplikimet për në universitetet kanë nisur prej datës 29 korrik dhe sipas të dhënave të Rrjetit Akademik Shqiptar deri më tani kanë aplikuar mbi 15 mijë maturantë.

