“Në grevë urie, gjallë ose vdekur s’lëviz nga Kryeministria”, qytetari denoncon Bashkinë Kurbin: Më zaptuan tokën e kthyen në landfill
Nga selia e Partisë demokratike Andon Meta nga fshati Laç i Kurbinit ka denoncuar Bashkinë Kurbin pasi i kanë marrë tokën pa të drejtë dhe e kanë kthyer në landfill.
Meta thotë se pasi u kthye pranë familjes së tij pas 28 vitesh në emigrim gjeti pronën e tij të uzurpuar.
Sipas tij zaptuesi i tokës është anëtar i Këshillit Bashkiak. Ky i fundit ia ka dhënë tokën me qera bashkisë Kurbin e cila e ka kthyer në landfill për derdhje inertesh.
Andon Meta: Pas 28 vitesh në emigrim jam kthyer pranë familjes dhe e kam gjetë pronën time të zaptume. Zaptuesi i tokës është anëtar i Këshillit Bashkiak. Ai ia ka dhënë tokën me qera bashkisë Kurbin e cila e ka kthyer në landfill për derdhje inertesh. Prej tre vitesh, që kur jam kthy nga mërgimi, jam në kërkim të së drejtës sime. Por sot po ju baj me dije vetëm hapat që kam marrë gjatë muajve të fundit. Para 5 muajsh i kam nisur një letër Drejtorisë Anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Nuk kam marrë përgjigje. Para dy muajsh i kam shkruar kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. I vetmi institucion që është interesuar për të ma zgjidhur hallin ka qenë Kadastra. Drejtori i Kadastrës Lezhë ka urdhëru që prona të regjistrohet, por nuk ka ndodhur kjo gjaë prej presionit të Bashkisë së Kurbinit.
Andon Meta tha se e bëri denoncimin nga foltorja e Partisë Demokratise, si akt të fundit të kërkimit të drejtësisë.
“Menjëherë pas kësaj deklarate do të shkoj para Kryeministrisë dhe do të futem në grevë urie.Nuk lëviz nga aty, gjallë ose vdekur, pa mu dhënë e drejta ime dhe pa mu kthyer prona ime”, tha ai.