Rama apel Vuçiç: Mos ushqe me iluzione dhe alibi grupet në veri të Kosovës
Kosova dhe situata e tensionuar në veri të Kosovës ka qenë një ndër temat kryesore që është folur në takimin kokë me kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe Pedro Sanchez, Kryeministrit të Mbretërisë së Spanjës.
Sanchez ndodhet sot në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Rama e quajti të paarsyeshme përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe I bën thirrje Vuçiç të mos ushqejë me asnjë lloj alibie, apo justifikimi grupe të caktuara në veriun e Kosovës
“Në kuadër të një situatë që mbrëmë vonë pati një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm. Qeveria e Kosovës, ka të drejtën por dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit. Marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë marëveshje për tu ekzekutuar jo diskutuar.
Përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, që e ka përshëndetur dhe Borrel dhe u kërkua dhe nga SHBA.
Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe presidentit të Serbisë të mos ushqejë me asnjë lloj alibie, apo justifikimi grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeve që është e vlefshme për tu zbatuar edhe për ti dhënë më shumë besueshmëri dialogut Kosovë-Serbi"
Rrugët në veri të Kosovës vijojnë të jenë të bllokuara dhe punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë të sistemit serb në Kosovë, janë udhëzuar që të dalin në barrikada, informoi sot REL.
