Erebara: SPAK po hesht për incineratorët, Tirana e njëjta skemë si Fieri e Elbasani, vetëm ata nuk e shohin
Në një intervistë për RTV Ora, gazetari Gjergj Erebara u shpreh se në raport me incineratorët SPAK është duke heshtur dhe po mbyll sytë.
Ai tha se janë po të njëjtat kompani që kanë vepruar në këtë incinerator, ashtu sikurse edhe në Elbasan e në Fier, por sipas tij, SPAK duket sikur nuk i sheh.
Erebara: Për incineratorët kemi parë shumë gjëra, qysh nga mashtrimet me TVSH, deri tek heshtja e institucioneve. Po ashtu edhe heshtjen e pafundme të SPAK, që bën sikur heton, por ama mbyll sytë dhe bën sikur nuk sheh që në inceneratorin e Tiranës bën sikur nuk i sheh që janë po të njëjtat kompani si në Fier dhe në Elbasan. Ky është një zhgënjim i madh në raport me SPAK-un. Provat janë aty dhe janë të ditura tashmë. Të gjitha faktet janë publike.
SPAK-u nuk po bën punën e vet dhe është koha që të ndërrohet këta prokurorë që të zëvendësohen me prokurorë më të aftë që e luftojnë këtë çështje. Nuk shoh asnjë arsye pse kjo histori duhet të vazhdojë dhe ne duhet të diskutojmë këtë histori vazhdimisht. Ka fakte që janë faturuar miliona euro për punë të pakryera. Ministria e Financave ka për detyrë që të bëjë një raport një herë në vit për kontrata e koncesionarëve dhe të thotë sa është investuar. Ky raport nuk është bërë dhe kjo të bën që të ngresh pikëpyetje nëse ministria është bashkëpunëtore në këtë histori.

