Akti human: Policia Rrugore e Tiranës dhuron gjak për 22-vjeçarin e aksidentuar

Policia Rrugore e Tiranës i ka ardhur në ndihmë një 22-vjeçari të aksidentuar me motoçikletë, duke i dhuruar gjak.

Reagimi solidar erdhi ndaj një apeli për të dhuruar gjak, të shpërndarë në rrjetet sociale, nga familjarët të riut Franko Mancellari, 22 vjeç, i cili u aksidentua me motoçikletë, më datë 29.07.2022, në Gjirokastër.

Kështu, një grup i punonjësve të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë janë organizuar me iniciativën e tyre, dhe kanë shkuar gjatë mesditës së sotme, në Spitalin e Traumës, Tiranë, për të dhuruar gjak.

Iniciativa sensibilizuese e punonjësve të Komisariatit të Policisë Rrugore synon të përcjellë mesazhin se mbërritja i sigurt në destinacion duhet të jetë prioriteti i çdo udhëtimi.

“Punonjësit e Policisë Rrugore gjenden pranë qytetarëve, jo vetëm për të ndëshkuar, në rastet e moszbatimit të rregullave të qarkullimit, por edhe për të ofruar gatishmëri dhe solidaritet në ato raste kur ngjarjet rrugore kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre. Përmes këtij akti human, Policia Rrugore fton sërish të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Së bashku për të mbrojtur jetën!” – shkruan policia.

Akti human: Policia Rrugore e Tiranës dhuron gjak për