“Shfaqje” në det, “aheng” në breg, policia shton kontrollet në det dhe zonën turistike të Shëngjinit

Muzika me zë të lartë që kthehet shqetësim për pushuesit mbetet problem në zonën turistike të Shëngjinit këtë verë. Fenomeni pranohet nga drejtuesit e policisë të cilët fajësojnë bashkëpunimin e munguar ndërinstitucional. Policia kufitare ndërkohë ka shtruar kontrollet në det kundër mjetet lundruese që rrezikojnë pushuesit për shkak të shkeljeve.

Të paktën tre pushues janë plagosur rëndë dhe shumë të tjerë janë rrezikuar në plazhet e vendit nga jugu në veri nga mjetet e ujit përgjatë korrikut.

Pas ngjarjeve të rënda dhe denoncimeve të vazhdueshme për sjelljen e rrezikshme të disa përdoruesve kryesisht të motorëve të ujit, policia kufitare ka shtuar patrullimet në të gjithë vijën bregdetare.

“Puna jonë ditore konsiston në kontrollet dhe detyrimet që kanë qytetarët që përdorin mjetet ujore.”

Në Shëngjin, fatmirësisht nuk ka pasur aksidente, por as atje shkelësit e rregullave të lundrimit nuk mungojnë.

“Janë ndëshkuar rreth 9 qytetarë për thyerjen e rregullave detare dhe u janë bllokuar mjetet.”

Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare në Shëngjin Komisar Emiliano Resulaj, ju bën thirrje qytetareve që të denoncojnë çdo problematike në det dhe reagimi do jetë i menjëhershëm.

“Me qëllim që pushuesit të jenë sa më të qetë.”

Në bregdet ndërkohë problem mbetet zhurma, kjo dhe për faktin se ka munguar bashkëpunimi ndërinstitucional.

“Problematika e muzikës për të cilës i jemi drejtuar edhe institucioneve të tjera, sidomos lidhur me certifikimin e lokaleve që kanë muzikë.”

Sezoni turistik në Lezhë ka nisur zyrtarisht që prej fundit të muajit maj dhe deri tani nuk është regjistruar asnjë ngjarje e rëndë.