Rama: Nga nesër në Rinas leximet e pasaportave jo më me polic, por digjitale, lehtësohet fluksi
Kryeministri Edi Rama nga terminali i ri i aeroportit në Rinas, ku u hapën 8 porta të reja tha se do të hyjë teknologji e re në leximin e pasaportave.
Ai bëri me dije se nga nesër, të gjithë qytetarët me pasaportë shqiptare që vijnë në aeroportin e Rinasit nuk do kenë lexim manual të pasaportës nga polici, por leximi digjital.
Rama: Sot është vënë në punë dhe sistemi i ri teknologjik i leximit të pasaportave në hyrje falë angazhimit të ministrit të Brendshëm, policisë së Shtetit dhe kompanisë e cila që në ditën e parë të nënshkrimit të marrëveshjes së re pasi bleu nga koncesionari i mëparshëm të drejtën e operimit, është angazhuar në të gjithë frontin e punëve që duhen bërë në këtë aeroport.
Nga nesër, të gjithë qytetarët me pasaportë shqiptare që vijnë në aeroportin e Rinasit nuk do kenë lexim manual të pasaportës nga polici që i sheh në sy e sheh pasaportën, por do kalojnë në barrierën digjitale me leximin digjital, proces që zgjat më pak se gjysmë minuti. Kjo do të lehtësojë fluksin e hyrjeve. Kjo vlen edhe për qytetarët e BE, SHBA, Britanisë së Madhe e Kanadasë. Për të tjerët do ketë proces kalimi me lexim manual të pasaportës.
