"Bashkia po na grabit pronën!" Pronarët dërgojnë çështjen në SPAK, Familja Doçi: Veliaj ia dha lejen Begos
Aleksandër Doçi është një qytetar, i cili prej muajsh nuk po gjen drejtësi.
"Po na marrin shpirtin, ai që të merr pronën të ka marrë shpirtin. Ju lutem Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropës, të na ndihmojnë se po na poshtërojnë."
Edhe pse në bazë të dokumentacioneve përkatëse rezulton pronar i një sipërfaqeje prej 2500 metër truall, ai thotë se po i grabitet padrejtësisht prona nga një firmë ndërtimi, e cila ka marrë dhe bekimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
"Po na grabisin, nuk ka shtet."
Bashkia Tiranë i ka dhënë lejen kompanisë Alsion-Albania sh.p.k për të ndërtuar në këtë zonë, ndërsa problemi thellohet edhe më tej pasi pronari dhe bashkëpronarët e tjerë as nuk kanë firmosur dhe as nuk kanë pyetur.
Familja Doçi ka fituar disa gjyqe në lidhje me këtë çështje dhe disponon dokumentacionin përkatës por pavarësisht kësaj kompania ka rrethuar zonën për të ndërtuar pallate, duke larguar madje dhe pronarët e tokës.
Thirrja e familjes Doçi është që të vendoset drejtësi e të merren të gjitha masat nga organet kompetente.
Për këtë arsye, pas protestës së të premtes ai e dërgoi çështjen në SPAK ku pret që të hetohet kompania dhe bashkëpunëtorët që kanë gisht në këtë çështje.

