Jetë nate deri në mesnatë, turistët dhe biznesmenët kundër kufizimeve për muzikën

Për të rinjtë kryesisht pushimet pa jetën e natës nuk quhen pushime.

Ndaj vendimi për kufizimin e muzikës deri në orën 23 nga e hëna deri të enjten dhe deri në mesnatë në fundjavë po i lë të pakënaqur.

“Ligji i ri që ka dalë që në 23:00 të mbyllin muzikën nuk më duket i saktë. Ka shumë pak njerëz, vjet në gusht kur erdha kishte më shumë njerëz. Nga bisedat që kam bërë me turist thonë që jeta e natës mbyllet shpejt dhe nuk po kënaqen.

Fikja e muzikës në bare i detyron të mbyllen herët në apartamente.

Xhani Demika menaxher i nje lokali nate në Sarandë thotë se ky është nga sezonet më të dobëta për jetën e natës në bregdet.

“Kemi dokumentacione për ambiente të mbyllura dhe nuk e kuptoj pse në ambientet mbyllura nuk lejohet të punojmë. Tani është kulmi i sezonit uroj të ndryshojmë që dhe njerëzit të kënaqen.”

Këtë verë jetës së natës i janë larguar shqiptarët, ndërsa të huajit nuk po shpenzojnë.

“Prurjet janë më të pakta sivjet. Janë njerëz me financa të dobëta, konsumi i vakët. Shpenzimet janë të pakta. Niveli i ulët i turistëve vjen në Shqipëri.”

Kërkojnë që për pjesën e mbetur të sezonit të lejohet muzika të paktën në ambientet e mbyllura.

“Të paktën të lejohet muzika në ambientet e mbyllura.”

Për të garantuar zbatimin e orarit të kufizimit të muzikës policia ka ushtruar kontrolle në subjektet që operojnë përgjatë vijës bregdetare dhe ka vendosur në ndjekje penale ata që nuk kanë respektuar rregullin e vendosur nga qeveria.