Ankesat për çmimet e kripura në jug, Topuzi: Duhet kuptuar, jo çdo njeri mund të pushojë në vendet më të shtrenjta
Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Turizmit Shqiptar nuk i gjen me vend ankesat e shumta për çmimet e kripura në bregdet.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj ai thotë se lajmet në portale janë më tepër një fushatë për klikime.
"Them se është e qëllimshme për të marrë klikime. Nuk është se jugu janë kontigjent i turizmit të huaj që vijnë e lënë euron, kjo është pjesë e turizmit shqiptar që kanë nivel mbi mesataren dhe është kryesisht turizëm që furnizohet fundjavave".
Për Topuzin, opinioni duhet ta ketë të qartë se jo çdo njeri mund të pushojë në vendet më të shtrenjta pavarësisht se ato mund të jenë në Shqipëri apo diku tjetër.
"Jo çdo francez mund të pushojë në San Tropez dhe jo çdo francez mund të pushojë në pikun e sezonit. E njëjta situatë përkthehet dhe në Shqipëri. Çdo njeri duhet të bëjë pushime dhe llogari sipas xhepit të tij dhe nuk është se shqiptarët nuk shpenzojnë. Një paketë për Turqi që presupozon një çift shkon nga 1500-2000 euro, gati 300 euro në ditë all inclusive. Në Shqipëri ke 5-6 hotele që mund të shesin me paketë 300 euro nata, pjesa më e madhe që ofrojnë në nivel jo aq sa Turqia por me 160-180 euro mund të marrë një paketë për dy persona në disa resorte të Shqipërisë".

