Thahet Laguna e Nartës, ambientalistët: Katastrofë ekologjike
Mungesa e reshjeve dhe bllokimi i kanaleve që e lidhin me detin kanë ndikuar në tharjen e Lagunës së Nartës. Ambientalistët flasin për një katastrofë ekologjike me pasoja të rënda.
Kjo është panorama që të ofron Laguna e Nartës këtë fundkorriku.
Laguna pranë Manastirit të Zvërnecit është tharë në pjesën më të madhe të saj.
Shkak janë temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve të shiut.
Ambientalistët thonë se Laguna po thahet edhe për shkak të shkarkimit të ujit përmes kanaleve kulluese.
"Në verë avullimi është më i madh dhe bie niveli i Lagunës, ky është fenomen natyror që nuk e ndalojmë dot. Ajo që mund të ndalojmë është të mbyllim rrjedhjet, largimin e ujit dhe të thellojmë kanalin nga deti."
Katastrofë ekologjike me pasoja të rënda e cilëson situatën aktuale ambientalisti Simo Ribaj.
"Për të mos thënë krim mjedisor. Dëmi që bëhet është shumë i madh. Janë një zinxhir i madh gjallesash dhe speciesh që bashkëjetojnë në ekuilibra mes tyre. Kur largohet uji ato mbeten të vdekura."
Për ta furnizuar me ujë prej disa ditësh ka nisur puna për hapjen e kanaleve që e lidhin atë më detin.
Në të tillë situatë ku përveç shkaqeve natyrore ka ndikuar edhe aktiviteti i biznesve aty pranë Laguna e Nartës është gjendur edhe në vitet e shkuara.


