Afera e incineratorëve, Berisha: Ahmetaj është strumbullari, por bajlozë të zinj janë Rama, Agaçi dhe Veliaj

Ish-kryeministri Sali Berisha i vijoi akuzat për aferën e incineratorëve edhe jashtë dyerve të Kuvendit.

Duke folur për gazetarët, ai tha se kryeministri Rama nuk lejoi debatin në Kuvend për shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i zv/kryeministrit për shkak se nuk donte të lejonte publikimin e dokumenteve për inceneratorët.

Berisha: Kontratë me negociata të mbyllura që nuk mund të firmosej kurrë nga një kryeministër që do të zbatojë ligjin. Edi Rama është shumëfishi i Arben Ahmetaj, e ka urdhëruar për prekjen e Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave i cili përdoret vetëm në raste fatkeqësish natyrore ose trauma të tjera të mëdha, përdorimin e tij për djegësat qoftë për Elbasanin, qoftë për Fierin.Edi Rama është firmëtari i famshëm  që ka dhënë tenderin e Sharrës 8 pikë. Ja pse nuk lejoi diskutimin se këto do t'ua thonim me dokumente shqiptarëve.

Arben Ahmetaj është strumbullar i kësaj çështje, por bajloz të zinj janë Edi Rama, Ëngjëll Agaçi dhe Erion Veliaj i cili ka firmosur për 91 milionë euro duke falsifikuar dokumentin e firmosur prej tij  dhe duke e paraqitur atë si dokument të të gjitha bashkive të qarkut të Tiranës. Këshilli i Tiranës ka bërë mbledhjen javë më vonë për të miratuar atë dokument që kishte hyrë në fuqi djhe kishte bërë aktive marrëveshjen. Këta nuk njohin askënd para vjedhjes. Ndaj dhe sot nuk lejojnë parlamentin të diskutojnë.