Balliu: Dosja e Metës fabrikim, kam dokumente për ish-sigurimsa në polici, bashki dhe media
I ftuar të Ora News, ish-deputeti demokrat Klevis Balliu u shpreh se dosja e Ilir Metës me Sigurimin e Shtetit është një fabrikim i qartë.
Sipas tij, nëse diçka e tillë do të ishte e vërtetë do të ishte bërë publike shumë kohë më parë, pasi Meta ka mbajtur pozicione të rëndësishme të vendit.
Balliu shtoi se ai ka dokumente që bashkëpunëtorë të Sigurimit janë edhe sot në Policinë e Shtetit, në bashki si dhe analistë në media.
Balliu: Ky është një fabrikim tejet i qartë. Meta ka qenë president, kryeministër, kryetar i kuvendit dhe ministër i Jashtëm. Nëse do të kishte një çështje të tillë do të ishte bërë publike shumë vite më parë. Një nga provat më të pastra që Ilir Meta nuk ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit është se është kundër Edi Ramës çdo bashkëpunëtor aktiv i Sigurimit është pjesë e enturazhit të Ramës. Nikolla mund të pyetet nëse ka apo jo në pozicionet kyçe të shtetit shqiptar dhe diplomacisë bashkëpunëtorë të Sigurimit, sepse të siguroj që ka.
Unë kam dokumente për një gjë të tillë që e vërteton se kanë qenë bashkëpunëtorë. Në polici, shefa të policisë kanë qenë bashkëpunëtor të Sigurimit dhe për ta ka dosje me emrin e tyre, ndryshe nga këto fabrikimit me inicialet I. M. këtu përmend edhe prefektin e Korçës, që ka pasur pseudonimin “Studiuesi”. Për këtë individ ministria e Brendshme është njoftuar me një letër nga Autoriteti i Dosjeve, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë. Ka edhe analistë që sillen si të pavarur që kanë qenë bashkëpunëtor.

