Meta bashkëpunëtor i Sigurimit? Ish-presidenti: Mos të filloj të hap email-et e Nju Jorkut, i kam me emra
Një ditë pasi mori drejtimin e Partisë së Lirisë, ish-presidenti Ilir Meta akuzohet nga Autoriteteve i Dosjeve si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës komuniste.
Këtë fakt, ky insititucion e zbuloi pasi u vu në lëvizje nga një email anonim, ndërsa drejtuesja Genta Sula vuri në dispozicion të Kuvendit të gjithë dosjen.
"Denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të larta të shtetit siç është, ish-Presidenti i Republikës Ilir Metaj, i pajisur me çertifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me Vendimin e Autoritetit e datës 28.04.2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit" thuhet në njoftimin e Autoritetit të Dosjeve.
Por ish-presidenti Ilir Meta nga selia e partisë së re e mohon që në rininë e tij të ketë bashkëpunuar me ish-Sigurimin.
Meta: Unë në atë kohë kam qenë vetëm Sekretar i Rinisë së Fakultetit të Ekonomisë. Unë njoh nja 40-50 Ilir Metaj. Në klasën time kemi qenë dy Ilir Metaj. Ilir Meta ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërtetat e tij.
Meta mohon që Autoriteti i Dosjeve t’i ketë dorëzuar edhe atij këtë dosje, por as nuk do ta denoncojë këtë institucion në Gjykatë.
Meta: Asnjë komunikim nuk kam pasur unë me Autoritetin e Dosjeve.
Për të ky vendim është një vepër e orkestruar nga kryeministri Edi Rama duke përdorur Genta Sulën dhe Lindita Nikollën.
Meta: Akt vetëvrasës. Autoriteti i Dosjeve është Autoriteti i manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve. Përderisa del aty ajo pula e Kuvendit, përdoret në atë mënyrë dhe u thotë shqiptarëve ne do zbulojmë I.M, turp i madh, faqja e zezë.
Në këtë mori akuzash Ilir Meta nuk e fsheh që zotëron informacion që mund të implikohen zyrtarët e shtetit.
Meta: Të filloj unë me emailet nga Nju Jorku thoni ju, që unë i kam me emra. Ato janë çështje pastaj.
Por pavarësisht se kryeparlamentarja në daljen e saj përmendi vetëm inicialet e Ilir Metës, në dosjen që Ora News disponon, Genta Sula në listën e spiunëve të komunizmi ka radhitur edhe persona të tjerë.
E shqetësuar për këto dosje Lindita Nikolla ka mbledhur kryetarët e grupeve parlamentare për t’i njohur me përmbajtjen si dhe më kërkesën e Autoritetit të Dosjeve për ndryshimin e ligjit që kandidatët për deputetë apo për kryetarë bashkie të plotësojnë formularin e Autoritetit të Dosjeve, në të njëjtën mënyrë siç bëhet me dekriminalizimin.
Taulat Balla dhe Enkelejd Alibeaj zgjodhën të mos japin detaje para mediave, ndërkohë Fatmir Mediu dhe Mesila Doda kërkuan nga politika të plotësojnë këtë kërkesë të Autoritetit.



