Turizmi në Shqipëri/ Ozuni: Kemi të mbushur Adriatikun, problem abuzimet me çmimet në shumë vende
Sipas raportimeve të fundit nga mediat, jugu ka ngelur bosh pasi këtë vit ka shumë pak turistë për shkak të rritjes së çmimeve.
Në lidhje me këtë eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni, tha se ajo që raportohet nuk është e vërtetë.
Por megjithatë ai tha se në këtë kohë është mbushur vetëm Adriatiku pasi ka ruajtur linjën e rritjes së çmimit në raport me shërbimin që ka.
Ai tha se në Jug çmimet janë më të larta, por sipas tij problem mbeten abuzimet.
Ferjolt Ozuni: Të konsiderosh vende konkurente në turizëm Greqinë, është një luks u madh, sepse jemi shumë larg asaj që ofron Greqia në raport me atë që ofrojmë ne. Ndërsa përsa i përket asaj lufte që po luhen nëpërmjet rrjeteve sociale, portaleve online mund ta konsiderojë që nuk është luftë, sepse në pjesën më të madhe të rasteve është relatuar e vërteta pavarësisht se nuk është jo e plotë.
Mund të themi se nga pritshmëritë e mia, jemi goxha poshtë, sepse në këto momente, ne kemi të mbushur vetëm Adriatikun. Një nga faktorët që ka mbajtur Adriatiku në këtë linjë është fakti se kanë ruajtur linjën e rritjes së çmimeve në raport me cilësinë e shërbimit që ka. Vërtetë çmimet janë rritur kudo sepse është lufta, është nafta e shumë faktorë që kanë krijuar këtë aspekt të rritjes së çmimeve, por kemi dhe një problematikë tjetër, ajo e rritjes abuzive në shumë vende. Gjejmë hapësira për të rritur çmimet sepse shpresojmë që klientët apo turistët do ti janë se s’kanë ku të shkojnë.
Eksperti më tej tha se njësitë akomoduese, restorantet, duhet të kishin ruajtur një linjë çmimesh në mënyrë që situata të mos ishte e tillë.
Ferjolt Ozuni: Njësitë akomoduese, restorantet, transporti, avionët duhet të kishin mbajtur një linjë deri diku të kontrolluar të rritjes së çmimeve për të mos arritur në pikën ku jemi sot, ku flasim për jugun q është bosh.
Ka vende edhe në jug që nuk janë dhe aq bosh. Ne i masim kapacitetet e mbushjes së plazheve në bazë të shezlongeve. Kemi parë shumë herë që shezlonget janë më shumë sesa numri maksimal kapaciteteve akomoduese në jug, kjo ndodh sepse kemi shumë turistë ditor që lëvizin nga një vend në një vend tjetër.
Nëse mund të flasim vetëm shifrat janë shifrat më të mira, por duhet parë dhe metodologjia e mbledhjes së këtyre shifrave. Kam parë një rritje shumë të madhe, të turistëve nga Greqia. Kemi më shumë hyrje dhe dalje të personave me nënshtetësi të huaj, por jo t’I cilësojmë të gjithë si turistë.
Ozuni u shpreh ndër të tjera se: Strategjitë dhe politikat që qeveria shqiptare ka zhvilluar për turizmin në Shqipëri, kanë ngelu vetëm në letër. Nëse do ishin zhvilluar strategjitë, nuk do të kishim këtë situatë të krijuar në këto momente. Problemi më I madh është edhe fakti që mediatikisht janë shtyrë vetëm faturat. Si në çdo vend të botës, ka restorante luksi dhe restorante që janë për të gjithë. Ne kemi pak qejfin për t’u dukur. Por megjithatë nuk duhet lënë pas dore që kemi dhe abuzime.
