Unioni i Transportit Publik kërkesë bashkisë Tiranë: Subvencione ose rritje çmimi të biletës përndryshe ndërpritet transporti pas 30-31 korrikut

Unioni i Transportit Publik i ka bërë kërkesë bashkisë Tiranë për vijim të subvencioneve për muajin gusht pasi sipas tyre në të kundërt për shkak të krizës do të detyrohen të ndërpresin ofrimin e transportit publik.

“Pra në kushtet e të njejtës gjendje financiare të rënduar dhe pa një subvencion nga buxheti i shtetit, për muajin gusht e në vazhdim, operatorët e kanë të pamundur të vazhdojnë të ofrojnë shërbimin e transportit qytetës në Tiranë”, thuhet në kërkesën drejtuar bashkisë Tiranë.  

Në rast të një pamundësie për të subvencionuar operatorët e transportit publik kanë kërkuar si alternativë rritjen e çmimit të biletës.

“Kërkojmë nga ana juaj ndërhyrjen e menjëhershme për inicimin e miratimit të vendimit subvencionues ana e qeverise  për vijueshmërinë se paketës antikrizë ose në pamundësi te saj rritjen e çmimit të biletës për ta kthyer shërbimin qytetës rentabël.”

Në rast të mos përmbushje së asnjërës kërkesë paralajmërojnë se shërbimi i transportit do të ofrohet deri më datë 30-31 gusht 2022.

“Me rezervat e gjendjes se karburantit të akumuluar mund ta ofrojmë këtë shërbim deri në datat 30-31 korrik 2022, për më tej vazhdimësia mbetët e ndërvarur nga subvencioni shtetit.”