‘Begaj punon për Shqipërinë e Madhe’, mediet serbe irritohen me fjalimin e presidentit të ri gjatë betimit
Ndërsa nuk ka asnjë reagim nga Beogradi zyrtar, mediet serbe janë irrituar me fjalimin e presidentit Bajram Begaj kur ky i fundit u zotua se do punonte edhe për interesat e shqiptarëve në vendet fqinje, duke pretenduar për të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe.

Mediet serbe e kanë quajtur fjalimin e presidentit Bajram Begaj të karakterit nacionalist, duke pretenduar se kreu i ri i shtetit do të punojë për të krijuar të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe.
Sipas analistëve dhe gazetave serbe, presidenti shmangu termin Shqipëri e Madhe duke shprehur aspiratat e tij për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Portalet serbe citojnë pjesë të fjalimit të Begajt, kur përmend Kosovën dhe Luginën e Preshevës.
Të irrituar nga fjalimi i ish-ushtarakut, mediet serbe kanë intervistuar edhe ministra të Millosheviçit.
I tillë është edhe Zhivadin Jovanoviç, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm në atë periudhë.
Sipas Jovanoviç, fjalimi i Begajt është një akt kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, por edhe të shteteve të tjera ballkanike.
Megjithëse serbët e Kosovës jetojnë kryesisht në veri të vendit dhe mbi 95% e popullsisë tjetër është shqiptare, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç në fjalimin e tij të betimit nuk ngurroi të betohej edhe për Kosovën, edhe pse shteti fqinj nuk është pjesë e saj që prej 2008, kur shpalli edhe Pavarësinë.
Këto nuk i bëjnë përshtypje medieve dhe ish-politikanëve, apo analistëve serbë, por vetëm frazat e nxjerra jashtë kontekstit kur bëhet fjalë për shqiptarët.