Arrihet marrëveshja për pensionet me Italinë
Grupet negociatorëve të dy qeverive, finalizuan marrëveshjen për njohjen e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe Ambasadori italian Fabrizio Buçi e quajtën një ditë festë për rreth 500 mijë shqiptarë në shtetin fqinj, dhe me mijëra italianë që punojnë e jetojnë në vendin tone, përfitues të kësaj dakordësie.
Qeveria Italiane dhe ajo Shqiptare kanë arritur në një dakordësi për një marrëveshje të mundshme për njohjen e pensioneve të qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj dhe e anasjella.
Grupet negociatorëve të dy qeverive, finalizuan marrëveshjen për njohjen e tyre, sipas së cilës rreth 500 mijë shqiptarëve në shtetin fqinj, dhe mijëra italianëve që punojnë e jetojnë në vendin tone respektivisht do tu njihen sistemi i pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.
Në konferencën e parë për shtyp pas përmbushjes së negociatave Ambasadori i Italisë, Fabrizio Buçi, theksoi rëndësinë e arritjes së kësaj dakordësie mes palëve.
"Është një rezutat i rëndësishëm, një rezultat madhe shumë i madh. Në itali ka më shumë se 700 mijë shqiptarë dhe 50 mijë bisnese drejtohen nga titullarë shqiptarë. Kontributi i dhënë nga shtetasit shqiptarë atje është i jashtëzakonshëm, edhe shtetasit italianë mund të përfitojnë tani në Shqipëri. Kjo marrëveshje do të jetë instrumenti juridik që përmbyll këtë projekt në marrëdhëniet tona bilaterale," tha ai.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj më herët bëri me dije palët përfituese të kësaj marrëveshjeje.
"Marrëveshja që është dakordësuar mbulon pensionet e pleqërisë , mbulon sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe mbulon gjithashtu sigurimin për papunësinë," tha ajo.
Megjithatë Geri Ballo, nismëtare e peticionit “Pensioni është një e drejtë”, nënvizon se nuk ka ende një datë e cila të përcaktojë hyrjen në fuqi të kësaj draftmarrëveshje për efekte proceduriale.
"Nuk është një datë, por ama fondi i parlamentit italian me anë të amendametit të senatorit Naniçini është në dispozicion që nga fillimi i vitit 2023," tha ajo.