Merret i pandehur Petrit Fusha, ish-kryeprokurori i Tiranës akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

Prokuroria e Durrësit ka marre zyrtarisht të pandehur ish-kryeprokurorin e Tiranës, Petrit Fusha. Sipas prokurorisë, nga hetimi i deritanishëm, Petrit Fusha rezulton se “ka bërë deklarim të rremë për mënyrën se si i ka vënë pasuritë dhe si e ka fituar pronësinë mbi disa objekte dhe sipërfaqe toke”.

Ish-kryeprokurori akuzohet se ka bërë kontrata fiktive për dhënien me qira të disa objekteve në pronësi të tij, pasi ka rezultuar se qiramarrësit nuk kanë pasur aftësi financiare për të paguar të ardhurat nga qiraja.

Gjithashtu ai nuk ka deklaruar shpenzime të kryera në lojërat e fatit gjatë viteve 2010 deri në 2016, shpenzime që kapin vlera të konsiderueshme financiare.

Fusha, ka qenë me detyrën e prokurorit dhe në bazë të ligjit i është nënshtruar procesit të rivlerësimit. Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, raporti me rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ për ish-prokurorin , ku kërkohet të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar.

Ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të tij dhe më pas ka sjellë marrjen e tij me cilësinë e të pandehurit. Nga hetimi i çështjes, rezulton së shtetasi Petrit Fusha, në deklaratat periodike vjetore dhe gjatë procesit të rivlerësimit, ka deklaruar rrethana të rreme në lidhje me pasuritë që ai disponon dhe që kishte në pronësi, për mënyrën e fitimit të pronësisë mbi këto objekte dhe sipërfaqe toke, si dhe ka kryer veprime fiktive në lidhje me dhënien me qira të disa objekteve në pronësi të tij, pasi ka rezultuar se qiramarrësit nuk kanë pasur aftësi financiare për të paguar të ardhurat nga qiraja.