Ish-efektivit të RENEA-s i kontrollojnë dhe banesën me qera, zbulojnë radio policie, armë, thika e jelek të RENEA-s

Të tjera materiale policie, armë radio dhe jelekë me mbishkrimin RENEA i janë gjetur dhe sekuestruar ish efektivit te RENEA-s në Selitë e Vjetër.
Policia njoftoi sot se kishte vijuar operacionin e koduar "Double Strike" duke kontrolluar banesën që Remal Rada kishte marrë me qera në Selitë të Vjetër.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, në zonën e quajtur "Selitë e Vjetër", shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin "RENEA", shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera" informoi sot policia.
Remal Rada u ndalua së bashku me mikun e tij Elton Hithin pasi në makinën luksoze me të cilin udhëtonin u gjet një snajper. Edhe gjatë kontrollit të banesave policia njoftoi dje (26 korrik 2022) se kishte sekuestruar 1 armë zjarri snajper, 1 armë zjarri pistoletë, një karikator arme automatike, 2 krehra pistolete, një sasi municioni luftarak, dy palë dylbi nate terminale dhe një dokument policie.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Kontrolli u ndërmor në kuadër të operacionit "Double strike"
