Berisha me intelektualët: Të përgatitemi për referendum, beteja për votën është e shenjtë
Në një takim me intelektualë, të cilët i kishte ftuar për të dhënë mendim lidhur me çështjet politike e sociale, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u kërkoi atyre të përgatiten për referendum.
Kushtetuta, tha ai, ka rënë teksa të gjitha pushtetet janë përqëndruar vetëm në duart e Kryeministrit.
"Nëse themi që jo të fitojmë zgjedhjet, nuk jemi realistë. Referendumi është. Të gjithë duhët të përgatitemi për një referendum. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme themelore që të angazhohemi dhe të punojmë që me demokracinë direkte ne të mund të bëjmë ndryshimet që duhen."
Shumë prej intelektualëve kërkuan vazhdimin e protestave por Berisha nuk dha një datë për rifillimin e tyre.
Objektivi i Partisë Demokratike, tha ai, është largimi i Edi Ramës.
"Nuk u vazhduan protestat se edhe mund të vazhdonin. Por një gjë ta kemi shumë të qartë: Pa proptesta këto probleme nuk zgjidhen. Largimi i tij nga pushteti, i cili ka ardhur nga vota e dhunuar, duhet të jetë objektivi ynë më absolut dhe ne do ti përmbahemi".
Sali Berisha ftoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar që të paraqesin prova për shpalljen “Non grata” dhe tha se nëse sjellin një fakt të vetëm kundër tij, do të japë dorëheqjen nga politika.
