Turizmi si para pandemisë, në portin e Vlorës përgjatë korrikut kanë hyrë rreth 16 mijë persona
Përkundër imazheve të plazheve me pak pushues në jug të vendit, të dhënat nga autoritetet portuale tregojnë se turizmi po rikthehet në nivelet e para pandemisë.
Në Portin e Vlorës përgjatë korrikut kanë hyrë rreth 16 mijë pasagjerë, shifër e njëjtë me korrikun e vitit 2019.
"Vjet në muajin korrik hyrje-daljet kanë qenë 4 mijë, sivjet jemi te 16 mijë hyrje dhe dalje. Kemi dhe sektorin e Himarës që vetëm në qershor kishte 3 mijë pasagjerë. Nuk i kemi pasur as përpara pandemisë kaq në Himarë. Shumica janë të huaj."
Heqja e gjithë kufizimeve të pandemisë duket se është një nga arsyet që ka shtuar fluksin e turistëve këtë verë.
Gushti pritet të ketë edhe më tepër pasagjerë.
Festim Skëndaj, shefi i përpunimit të të dhënave në Portin e Vlorës thotë se janë marrë të gjitha masat për t`ju përgjigjur numrit të lartë të udhëtarëve.
Të dhënat janë pozitive edhe për Portin e Durrësit ku rezulton se tragetet qe operojnë ne linjat detare Bari-Durrës dhe anasjelltas, kanë dyfishuar numrin e lundrimeve për të përballuar fluksin në rritje të pasagjerëve.
