PD: Incineratorë nuk ka, qeveria jep 6.1 milionë euro pronarëve në arrati, SPAK të veprojë
PD ka vazhduar me denoncimet lidhur me aferën e incineratorëve duke thënë se qeveria akoma nuk i ka ndalur vjedhjet.
Përmes një deklarate për mediet të Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj tha se 6.1 milionë euro të tjerë nga xhepat e shqiptarëve.
Sipas saj, Integreted Energy, kompania e inceneratorëve që nuk djegin kurrë dhe asgjë veç parave publike, do të marrë edhe 6.1 milion euro nga qeveria.
Hysaj: Edhe pse mbetjet nuk digjen, por mbulohen, sepse ende nuk ka një impiant; paratë nga buxheti i shtetit, d.m.th. nga xhepat tuaj, vazhdojnë të rrjedhin. Edhe pse pronarët e Integreted janë në arrati, pas publikimit të skandalit të shekullit, qeveria bën sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Çfarë do të thotë kjo: Mafia e plehrave ka imunitet politik; Shkarkimi i Arben Ahmetajt nuk ndryshon gjë në jetën e aferës, sepse vjedhja shkon më lart se tigri prej letre; Qeveria nuk ndalet, sepse e sheh se të vetmit që ‘e hanë’ janë peshqit e vegjël, dhe të mëdhenjtë nuk preken; Qeveria vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë, sepse nuk ka trysni, as nga drejtësia dhe as nga arbitrazhi i huaj;
Partia Demokratike i bën thirrje SPAK që ta vrasë frikën. Çdo stepje, çdo mbyllje sysh para shuma të tilla, që lëvrohen por nuk kthehen në punë apo investime publike, i bën ata bashkëfajtorë. Hemorragjia financiare dhe turpërimi publik, mbyllen vetëm me nisma të guximshme. Opozita e bashkuar në Frontin e Shpëtimit Kombëtar do të përkrahë çdo prokuror që mbron interesin publik dhe kombëtar. Një qeveri që vjedh popullin e vet, nuk përfaqëson më shumicën, por një klikë. Zakoni i klikave është që pasi mbysin zërat kundër, u kthehen bashkëpunëtorëve. Shqipëria është në rrezik.
