“…E dinim që në çantë kishte rroba…”Zbardhet dëshmia e ish efektivit të RENEA-s. Në kërkim i treti që dorëzoi snajperin

Një ish punonjës i Forcave Speciale të Policisë është arrestuar në tiranë  pasi mbante me vete në automjet një armë snajper. Remal Rada mësohet se kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia. Gjatë ndalimit të ish-policit dhe personit që e shoqëronte, dhe më pas gjatë kontrollit në banesa u sekuestruan edhe disa armë  të tjera që dyshohet se mund të përdoreshin për kryerjen e veprave penale.

Tirane- Ish-efektivi i repartit RENEA Remal Rada, i cili u arrestua gjatë operacionit të fundit të policisë të koduar me emrin “Double Strike” kishte lënë detyrën 6 muaj më parë.

Ai kishte vetëm 4 ditë që ishte kthyer nga Anglia në Shqipëri, ku në Tiranë lëvizte me një automjet luksoz me targa angleze.

Rada dhe miku i tij Elton Hithi, dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal në Tiranë.

Ndërsa mbrëmjen e djeshme, policia kriminale, ka vënë re në parkingun e një lokali tek rruga e Elbasanit veprime jo normale të ish-efektivit të RENEA-s.

Ai ishte bashkë me Elton Hithin një 28-vjeçari nga Laknasi, i dënuar më parë nga gjykata e Tiranës për "vjedhje me dhunë”.

Një person i tretë i ka dhënë një çantë, dhe ish-efektivi Remal Rada së bashku me Elton Hithin e kanë futur brenda në makinë.

Ata janë larguar më pas në drejtim të rrugës së Elbasanit, ku janë ndaluar nga një postobllok i policisë “Shqiponja”, operacionalja dhe oficerë të komisariatit Nr.1.

Brenda në çantë policia gjeti një snajper modern, dhe municionin përkatës. Remal Rada, fillimisht ka pretenduar para ish-kolegëve të tij se e dinte që i kishin dhënë rroba, por më pas ka preferuar të mos flasë në procesverbal.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Elton Hithi, i cili ka qënë në sediljen e parë të pasagjerit, kur ka ndërhyrë policia.

Elton Hithi, ka rrëfyer para policisë se kishte marë çantën nga një person, pa i treguar emri, i cili i ka thënë se janë rroba sportive.

Por në çantën e kuqe, u gjetën sende të paligjshme si snajper dhe municione të kalibrave të ndryshme. Tashmë policia po kryen hetime për të zbuluar personin e tretë që ka dorëzuar çantën me armatim, tek dy personat e tjerë të cilët kanë preferuar të mos u tregojnë emrin.

Njëherësh policia, ka ushtruar kontroll në shtëpinë e ish-efektivit të RENEA-s, ku rezultoi se edhe në banesë ai mbante armë.

Në shtëpi policia sekuestroi një pistoletë pa lejë municioneve të ndryshme, dylbi, targa automjetesh, simbole të policisë së Shtetit.

Ky nuk është rasti i parë, që efektivë të RENEA dhe njësive të tjera speciale në repartet e policisë, të arrestuar nga kolegët e tyre si të implikuar në veprimtari kriminale.