Situatë alarmante, Yzberishtin e mbulojnë plehrat, Bashkia "zhduket"

Mbetjet e përhapura gjithandej janë një situatë shqetësuese për kryeqytetasit. Kryesisht, banorët e Yzberishtit duket të përballen çdo ditë me koshat e papastruar të mbeturinave. Ata kërkojnë ndërhyrje emergjente për këtë situatë, teksa theksojnë se janë të rrezikuar ndaj infeksioneve që mund të përhapen si pasojë e kësaj ndotjeje masive.

Teksa kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bën propagandë duke treguar në rrjete sociale pastrimin e qëndrës së qytetit, panorama që ofrohet në periferi është kjo.

Makina e pastrimit të koshave të mbeturinave në zonën e Yzberishtit duket shumë rrallë në këto rrugë e ndotja e shkaktuar sipas banorëve është një problem serioz ku ndërhyrja duhet të jetë urgjente.

"Mbeturinat  janë shumë shqetësuese në zonën tonë dhe urgjentisht duhet të merren masa sepse edhe temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin tonë të përditshëm. I heqin kur duan ata."

Kritikat i kanë për Kryebashkiakun, teksa kërkojnë që vëmendja ndaj kësaj zone të rritet.

"Situata është alarmante. Flitet për incineratorë, bashki, pastrime por ndërkohë asgjë. Është mëse e dukshme."

Pak metra me tutje këtyre koshave tregtohen fruta-perime. Për banorët rrisku i marrjes së infeksioneve si pasojë e kësaj ndotjeje është shumë i lartë.

"Është shumë e domosdoshme të ndërhyhet urgjentisht."

Por pavarësisht shqetësimeve të njëpasnjëshme të kryeqytetasve, kjo situatë përsëritet në mënyrë të vazhdueshme në shumë zona të Tiranës.