Rrezikonin pushuesit duke kryer manovra me motor uji, gjobiten dy persona në Sarandë, bllokohen 3 mjete lundruese 

Vetëm pas tre pushuesve të plagosur dhe denoncimeve në media, policia ka shtuar kontrollet për mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e turistëve në det. Me kontrolle, synohet të zgjidhet edhe zbatimi i ligjit për muzikën dhe zhurmat në bregdet.

Të paktën tre pushues janë plagosur vetëm përgjatë korrikut, por drejtuesit e mjeteve ujore nuk kanë nxjerrë mësime për pasojat që sjellin shkeljet e tyre në det.

Dy persona janë gjobitur nga policia kufitare në Sarandë pasi rrezikuan jetën e pushuesve, duke kryer manovra të rrezikshme me mjete lundruese.

Ata u ndëskuan me ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, ndërsa motorët e ujit “Jet Ski”  u bllokuan.

Gjatë kontrolleve, u bllokua edhe një motor i tretë uji që gjaët verifikimit rezultoi pa dokumentacion përkatës për të dalë në det.

Policia aksion në det dhe bregdet për sigurinë e qetësinë e pushuesve

Më 16 korrik një çift të rinjsh mbetën të plagosur në plazhin e Jalës pasi u goditën nga një gomone, drejtuesi i të cilës humbi kontrollin ndërsa bënte manovra të rrezikshme në det.

Dy ditë më vonë, një fëmijë 7 vjeç u plagos në plazhin e Jonufrës pasi drejtuesi një gomoneje shkeli kufizimin me bova detare dhe u fut në zonën ku nuk lejohen mjetet lundruese.

Vetëm pas denoncimeve në media, strukturat e Policisë së Shtetit shtuan kontrollet në det të mjeteve lundruese dhe respektimin e orarit të muzikës nga bizneset përgjatë bregdetit.