"Ambasadorët, dasma madhështore dhe misioni në Shqipëri" Të gjitha në një libër të Roland Qafokut
"Ambasadorët amerikanë në Shqipëri (1922-2022)", fakte, kuriozite dhe histori janë mbledhur në një libër me të njëjtin titull që tashmë është në treg nga gazetari i njohur dhe studiuesi Roland Qafoku.
Ishte viti 1925 kur më Shqipëri, Tirana sapo ishte shpallur kryeqytet i përhershëm, në SHBA Kongresi amerikan u mblodh dhe vendosi 60 mijë dollarë për të ndërtuar godinën ku do të vendosej ambasada amerikane. Deri atëherë trupat diplomatike amerikane jetonin në godina me qera.
Godina u përurua në vitin 1930 dhe inxhinieri projektues ishte ai që projektoi zyrën ovale të SHBA-së.
Më pas dasma madhështore në oborrin e ambasadës amerikane....
“Amerika është i vetmi komb në botë që na ka dhënë dy gjëra të mëdha. Nëse të gjithë fqinjët na kanë kafshuar ndonjëherë SHBA asnjëherë. Nëse kemi dy shtete me shqiptarë në Ballkanin Perëndimorë, Shqipërinë dhe Kosovën e kemi falë SHBA. Ja pse shqiptarët e duam Amerikën” tregon Roland Qafoku autori i librit i ftuar sot në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora
Po pse ambasadorët amerikanë sa herë që largohen flasin me superlativa për Shqipërinë?
Ambasadorja amerikane Yuri Kim në ceremoninë e përurimit të këtij libri më 20 korrik rreket ti japë një përgjigje
"Për çdo Ambasador Amerikan është një nder i madh, një nder i madh, t’i kërkohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, të përfaqësojë vendin tonë në një vend tjetër. Për ata nga ne që mund të vijnë në Shqipëri si ambasadorë, është një nder edhe më i madh dhe është një nder shumë i veçantë. Nuk është se Shqipëria është vendi më i madh, se është vendi më i pasur, asnjëra nga këto. Por ky është me të vërtetë vendi më i veçantë. Nuk ka njeri në botë si shqiptari. Dhe miqësia që kanë amerikanët, që ambasadorët amerikanë mund të përjetojnë personalisht me ju, është diçka vërtet e paharrueshme".
Libri u promovua në një moment të rëndësishëm siç është 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara.
“Çdo ambasador amerikan e di shumë mirë se e para përfaqëson shtetin nuk diskutohet dhe e dyta se kujt duhet t’i referohet në Shqipëri dhe referenca është tek opinioni publik shqiptar. Kjo është pjesa e panatyrshme e marrëdhënieve në raport me gjithë përfaqësitë e tjera në Shqipëri. Sepse amerikanët këtu ndjehen në shtëpinë e tyre dhe për këtë periudhë historike është shumë mirë që ndjehen në shtëpinë e tyre. Nëse amerikanët këtu nuk do të ndjeheshin në shtëpinë e tyre dhe nëse amerikanët këtu nuk do bënin ato që kanë bërë, çorapi në këtë shtëpi do ishte bërë shumë më i pahekurosshëm. Po hekuroset avash-avash me ndihmën e SHBA-ve, me mbështetjen e SHBA-ve dhe të ambasadorëve amerikanë”, do të shprehej kryeministri Edi Rama në ceremoninë e përurimit të këtij libri më 20 korrik 2022.
"Ambasadorët amerikanë në Shqipëri (1922-2022)" një libër që nuk duhet tju mungojë bibliotek tuaj. Mos humbisni bisedën e autorit të librit Roland Qafoku në studion e "Ditë e Re" në RTV Ora me moderatorët Arjola Shehu dhe Arjon Muça.