"Ballkani i Hapur" me marrëveshja të reja, eliminohen barrierat ushqimore, Shqipëria do të furnizojë Serbinë me qymyr

Energjia, siguria ushqimore dhe mbrojtja civile janë tre drejtimet e para kryesore ku është fokusuar bashkëpunimi mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në përmbyllje të punimeve dyditore të konferencës për Ballkanin e Hapur, “Sfidat kryesore dhe zgjidhjet lehtësuese për rajonin”,  zhvilluar në Tiranë, prezantoi konkluzionet e stafeve teknike dhe linjat kryesore ku do të fokusohet plani i bashkëpunimit.

Ahmetaj njoftoi se ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë u ra dakord për të bashkëpunuar për shfrytëzimin e rezervave të qymyrgurit me qëllim furnizimin me lëndë të parë të impianteve termo të Serbisë.

Maqedonia e Veriut nga ana tjetër  ka shprehur interes për të investuar në terminalin LG në Vlorë.

Ndërsa në sektorin e bujqësisë është dakordësuar lehtësimi i barrierave të furnizimit mbi sigurinë ushqimore si dhe funksionimi i tregut të lirë mes tre vendeve.

Vendet janë dakordësuar për gjetjen e një mekanizmi në rastet e përkeqësimit të krizës për akses në furnizimin e tregjeve.

Arben Ahmetaj: Midis Shqipërisë dhe Serbisë u ra dakord për bashkëpunim në lidhje me mundësinë e shfrytëzimit të rezervave të qymyrit me qëllim furnizimi me lëndë të parë të impianteve termo të Serbisë. Maqedonia e Veriut shprehu interesin për të investuar në mënyrë direkte ose indirekte në terminalin Elengji të Vlorës. Maqedonia e Veriut ka shprehur interes të jetë partner në atë investim.  Gjatë takimit për sigurinë ushqimore u ra dakord për nënshkrimin e një mekanizimi në të cilën secila palë angazhohet të eliminojë çdo barrierë e cila lidhet me sigurinë ushqimore por jo vetëm. Sa i përket emergjencave civile u arrit në konkluzion se lind nevoja për krijim kapacitetesh të përbashkëta, burime njerëzore dhe shkëmbime eksperiencash e praktikash etj.