Nuk e uruan ndërkombëtarët pasi mori drejtimin e partisë, Meta: Jam i lumtur, nuk kam kërkuar ndonjëherë përkrahje
Gjatë konferencës për media ish presidenti Ilir Meta tha se nuk ka kërkuar ndonjëherë përkrahje nga ndërkombëtarët dhe as nuk do votë prej tyre. Por sipas tij çdo detyrim i Shqipërisë si partnere e NATO-s do të plotësohet në mënyrë të shkëlqyer nga Partia e Lirisë.
Gazetari: Kanë kaluar 24 orë nga ngjarja e rëndësishme politike në Shqipëri ku një ish president ka marrë drejtimin e një force politike. A keni pasur komunikime dhe urime me diplomatë të huaj në Tiranë dhe a ju shqetëson që nuk ka pasur urime publike?
Ilir Meta: Nuk kam asnjë shqetësim nëse ka aspo nuk ka reagime. I vetmi reagim shqetësues për mua është kur nuk reagojnë partizanët e reformës në drejtësi për këto afera skandaloze që kanë tronditur popullin shqiptare dhe po shkatërrojnë financat publike. Nuk kam unë asnjë shqetësim tjetër. Janë afera që unë ua kam bërë të ditur të gjithëve. Unë jam i lumtur dhe nuk pres të marr ndonjë votë nga miqtë tanë ndërkombëtarë. As kam kërkuar ndonjëherë as dua as vota, as përkrahje unë e kam me shqiptarë. Sa u takon ndërkombëtarëve çdo detyrim i Shqipërisë si partnere e NATO-s do të plotësohet në mënyrë të shkëlqyer nga Partia e Lirisë. Çdo detyrim ndaj NATO-s do të plotësohet në mënyrë të shkëlqyer. Janë të tjerë ata që i përfshijnë në politikat e brendshme.
