Berisha: Në krye të njësive administrative, të emëruarit e partisë. Rama shkatërroi përfaqësimin e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi në një takim me qytetarët në Fier se Edi Rama me reformën territoriale shkatërroi rëndë përfaqësimin e qytetarëve.

Berisha më tej u shpreh se  Rama dhunoi votën, përdori patronazhistë dhe bandat për të vjedhur vullnetin e lirë të qytetarëve.

Më tej ai tha se në krye të njësive administrative, janë të emëruarit e partisë.

Sali Berisha: Qytetarët zgjidhnin me votën e tyre 420 kryetar komunash e bashkish. Zgjidhnin mijëra përfaqësues, këshilltarë dhe kishin një shpërqendrim të shërbimeve ndaj tyre. Ai përdori reformën absolutisht për parimet e kundërta që duhej përdorur. Nëse pushteti vendor ka parim themelor decentralizimin dhe autonominë, ai përdori centralizimin e këtij pushteti. Sot në Fier, në çdo qark, ke me qindra zona, fshatra që nuk përfaqësohen nga asnjë këshilltar.

Nuk ju japin ju asnjë llogari. I japin vetëm atij që i emëron. Alfa e demokracisë, fillon me votën dhe përfaqësimin. Ky këto i shkatërroi nëpërmjet reformës në qeverisjen vendore.

Përveç kësaj, në mënyrën më jo demokratike, i la bashki të gjitha ato që donte, dhe sot Gjirokastra me 120 mijë banorë ka 7 bashki, kurse Tirana me mbi 1 mln banorë ka gjithsej 4 bashki. Ky është koncepti i Edi Ramës. Ai përbën një rrezik të madh kombëtar.

Pas kësaj vazhdoi me dhunimin e votës, patronazhistët dhe përdorimin e të gjithë shtetit për të vjedhur votën, me banda dhe terror e sot qëndron në pushtet në mënyrën më të paligjshme që mund të qëndrojë njeri. Jemi në betejë shumëplanëshe, përpunojmë alternativat për qytetarët.