Divjakë, më shumë të huaj se shqiptarë, turistët: Njerëzit të sjellshëm dhe çmimet janë të lira

Ndërthurja e lagunës, pyllit me pisha dhe detit e bëjnë Divjakën një ndër zonat më të frekuentuara gjatë verës.

Këto ditë të nxehta korriku kanë qenë të shumtë vizitorët në Parkun kombëtar Divjake- Karavasta.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Mbi 70% janë turistë të ardhur nga Franca, Holanda e Belgjika.

Turistët, veçanërisht të huajt i tërheq natyra, fauna e rrallë si gjurmët historike e kulturore në park.

Disa vizitorë nga Franca vlerësojnë mikpritjen shqiptare dhe janë të kënaqur me çmimet që ofrohen në zonat turistike.

“Çmimet janë të arsyeshme, më të lira se në Francë edhe pse nuk ka vend për krahasim. Është dita e dytë në Shqipëri por njerëzit i kam gjetur të sjellshëm dhe zemërgjerë, shërbimi është për t`u lavdëruar. Unë jam përfaqësues i një kompanie turistike dhe këtë vit në Shqipëri kemi sjellë 300 turistë më shumë,” u shpreh një turist francez.

Por për vendasit çmimet këtë vit janë të larta.

"Sivjet janë pak më të kripura në krahasim edhe me restorantet, çdo gjë është më lart," thotë një turist.

Përfaqësuesit e guidave turistike thonë se këtë verë është shtuar numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë.

"Ato nuk shtohen rastësisht, por shtohen sepse kanë qenë dhe më përpara dhe kanë mbetur të kënaqur. Dhe sigurisht ata bëhen ambasadorët e Shqipërisë pranë familjeve dhe të afërmve të tyre," thotë ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit vitin e shkuar Divjaka u vizitua nga afro 50 mijë turistë të huaj.