"Lejet mjedisore, kundër mjedisit", KLSH publikon raportin: Tirana, Durrësi dhe Dibra “injorojnë” ankesat e qytetarëve për ndotje

Agjencitë Rajonale Mjedisore nuk kanë baza të dhënash të ndara sipas tipit të lejeve mjedisore që lëshojnë ndërkohë që u mungojnë edhe elementë të tjerë të lidhura me metodologjinë e llogaritjes së riskut apo frekuencat e inspektimit. Konstatimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili këtë problematikë e ka hasur në të paktën tre agjenci rajonale të mjedisit në Tiranë, Durrës dhe Dibër.

Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë, Durrës, Dibër, nuk ka bazë të dhënash të subjekteve të pajisura me leje mjedisore, të ndara sipas tipit të tyre dhe ndikimeve që ato kanë në mjedis, mbi bazën e të cilave të hartojë programet vjetore dhe mujore të inspektimit bazuar mbi metodologjinë e vlerësimit të riskut.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se në planifikimet vjetore e mujore dhe në inspektimet e kryera, nuk ka përfshirë një masë të konsiderueshme të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në Qarkun e Tiranë Durrës Dibër, për 6/mujorin e dytë 2020, janë anuluar 36 inspektime pasi janë hedhur në sistem nga Titullari, autorizimet kanë të përfshira fusha të ndryshme të veprimtarisë së subjekteve të pajisura me leje mjedisore, në kundërshtim me ligjin”, thuhet në auditim.

Po ashtu, KLSH-ja thotë se nuk ka metodologji konkrete për llogaritjen e riskut dhe frekuencën e inspektimit gjatë një viti të subjekteve që do të inspektohen.

Për këtë KLSH ka rekomanduar që të merren masa për krijimin e regjistrave të subjekteve që ushtrojnë aktivitet si dhe krijimin e dosjeve për çdo subjekt objekt inspektimi.

Po kështu “në programet vjetore dhe mujore të inspektimit të pasqyrohen dhe inspektorët që kryejnë inspektimet, të hartohen në bazë risku, ku të përcaktohet në detaje inspektimi, duke u nisur nga informacioni paraprak për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetet në Qark, në bashkëpunim me institucionet e qarkut si Drejtoria Rajonale e Tatimeve, QKB, Bashki e Njësi Administrative si dhe institucione të tjera që janë objekte të ndotjes dhe mbetjeve integrale”.

Mes shumë pikave të marra në auditim KLSH ka nënvizuar edhe faktin që në disa raste agjencitë rajonale nuk kanë kthyer përgjigje ndaj ankesave që kanë bërë qytetarët për raste të ndotjes mjedisore.

“Nga auditimi u konstatua se: për periudhën objekt auditimi në 15 raste nuk janë kthyer përgjigje, ankesave të ardhur nga qytetarë në lidhje me problematikat në lidhje me ndotjen e mjedisit”, vlerëson KLSH.

Për këtë është kërkuar që Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Tiranë, Durrës dhe Dibër të marrë masa që të ngrejë grupe inspektimi për ato subjekte ndaj të cilave janë administruar ankesa nga qytetarët.