Meta në Kosovë: Liberalizimi i vizave sa më parë

Në kuadër të vizitës së tij përmbyllëse të detyrës së lartë të kryetarit të shtetit shqiptar, Presidenti Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta në Prishtinë me kryetarin e KIuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti. Gjatë bisedave me ta, Meta i bëri apel Brukselit që të vendosë sa më parë liberalizimin e vizave me Kosovën. Ndërsa kërkoi realizimin e projekteve të përbashkëta mes dy vendeve tona.

Në vizitën e tij të fundit si President i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka zbardhur takimet që ai zhvilloi në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Në takimin me kryeparlamentarin Konjufca, Meta ka shprehur vlerësimin e tij për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës duke e cilësuar atë si faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në njoftimin e tij, Presidenti Meta thotë se Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, duke shembullzuar këtë mendim të tij përmes zhvillimit të “zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Meta ka folur gjithashtu edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e cilësuar gjithë procesin si një domosdoshmëri “që duhet të ndodhë sa më parë”.

Ndërsa në takimin që ai zhvilloi me shefin e Ekzekutivit kosovar Albin Kurti, Meta është shprehur se është me rëndësi konkretizimi efikas i marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara.

Ai thekson se është jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemorragjinë demografike që na ka prekur.

Po kështu Meta deklaron se nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian.