Fikën GPS dhe dolën në det për të marrë naftë kontrabantë, bllokohet peshkarexha me 80 mijë litra karburant
Një peshkarexhë është bllokuar nga policia dhe tre persona janë shpallur në kërkim në Durrës, pasi akuzohen se kanë dalë në det me GPS të fikur dhe pa lajmëruar kapitenerinë për të marrë naftë kontrabantë.
Përmes operacioni policor "Diesel" u bë i mundur bllokimi i peshkarexhës me 80 mijë litra naftë dhe u shpallën në kërkim administratori, kapiteni dhe mekaniku i saj.
"Shpallen në kërkim administratori, kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës, të cilët kishin përshtatur, një depozitë, në një peshkarexhë, për naftën e kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, si dhe kishin ankoruar peshakrexhën pa njoftuar në ish-kantierin detar në Portin e Durrësit," njoftoi policia.
Në veprimet e para hetimore morën pjesë edhe Policia Kufitare, Dega Doganore Durrës, Antikontrabanda Detare dhe FSPD Port Durrës.
Bllokimi i saj erdhi pas infromacioneve në rrugë operative se në ish-kantierin detar në Portin e Durrësit, ishte ankoruar një peshkarexhë, me naftë të dyshuar të kontrabanduar.
Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasit:
- A. M., 38 vjeç, banues në Durrës, administrator i peshkarexhës;
- F. A., 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarëxhës;
- N. Xh., 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës.
Në vijim të veprimeve u bë sekuestrimi i peshkarexhës dhe i sasisë së naftës të dyshuar të kontrabanduar.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës po vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, identifikimin dhe vënien para përgjegjesisë ligore të shtetasve të tjerë të përfshirë.
