Shembet një pjesë e murit të pallatit të dëmtuar nga tërmeti, terrorizohen banorët në Durrës
Rrëzimi i mureve të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, në këtë pallat në Durrës, po rrezikon tragjedi.
Një këmbësor shpëtoi për mrekulli këtë të shtunë, teksa po kalonte aty kur pati shembje.
"Ishte duke kaluar, por shpëtoi. Doli pak më gjatë," tha një banor.
"Që nga 2019 deri më sot ajo ka qenë e çarë. Të gjithë e shihnin, po asnjë nuk vinte që ta hiqte," thotë një tjetër banor.
Banorët thonë se pak ditë më parë, një fëmijë vetëm 5 vjeç u rrezikua.
"Ja ra ajo atje. I ra një copë tullë dhe u vra," tha një banore.
Siç tregojnë pamjet, pallati 7 katësh ka pësuar dëmtime të rënda.
Por disa banorë janë rikthyer të jetojnë me rrezikun e vdekjes brenda pallatit, pasi thonë se kanë tre muaj pa marrë bonusin e qerasë.
"Edi Rama mos të merret me qeset, po të merret me pallatin se po vriten njerëzit. Dhe të japë bonuse se ngelën të gjithë njerëzit përjashtë. Kemi tre muaj pa e marrë bonusin e qirasë," tha ajo.
Durrësi ishte ndër bashkitë më të prekura nga tërmeti i Nëntorit 2019, ndërsa në vazhdimësi ka pasur ankesa se procesi i riparimit të palleteve të dëmtuara po ecën me ritme të ngadalta.