"Preken nga projekti “Kuvend” në Fushë të Gjoricës", banorët protestë kundër HEC-it të Skavicës

Banorë të Luginës së Drinit të Zi në Dibër, po përdorin simbolikat e historisë në qëndrimin kundër ndërtimit të HECIt të Skavicës. Protesta e radhës u mbajt në Fushë të Gjoricës, aty ku sipas historisë, paraardhësit e tyre i bënë ballë komandantit turk Hajredin Pasha.

Kuvendin e radhës kundër ndërtimit të Hecit të Skavicës, banorët e Dibrës që preken nga projekti, e mbajtën në fushë të Gjoricës.

"Dibra në këtë rast dhe në këto momente ka një armik. Dhe ky është kryeministri i Shqipërisë," thonë ata.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Nga vendi ku sipas historisë paraardhësit e tyre i dolën përballë komandantit turk, Hajredin Pasha, përsëriten arsyet e kundërshtimit.

"Mjaft është shpopulluar Dibra. Tani duan ta fshijnë nga harta e Shqipërisë," thonë ato.

Shprehën indinjatë për qëndrimet e kryeministrit dhe mungesën e konsultimeve publike për Hidrocentralin që prek dhjetra fshatra me mijëra banorë.

"Nga ana e qeverisë ka një arrogancë të theksuar, ku kryeministri lakon me tone shumë ofenduese ndaj dibranëve, duke e etiketuar si poshtërsi autoktone reagimin e drejtë të banorëve lidhur me mbrojtjen e trojeve të tyre," thotë një prej banorëve.

"I bëj thirrje Edi Ramës këtu në mes të Gjoricës që të heqi dorë, të japi urdhërin për të ndaluar punimet atje," shprehet një tjetër banor.

Hidrocentrali i Skavicës është projektuar fillimisht në vitet 70’, si pjesë e Kaskadës së Drinit.

Projekti kap vlerën e 500 milion dollarëve, ndërsa punimet do të kryhen nga kompania amerikane Bektel.