Britania ashtu si SHBA-të, paralajmëron “listë të zezë” për të korruptuarit në Shqipëri

Ambasada e Britanisë ka përforcuar atë që tha më herët Sir Stuart Peach është i Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një statusi në Twitter ambasada Britanike në vendin tonë pohon se ky shtet ka ndërmarrë veprime përçarëse kundër disa individëve shqiptarë me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin.

“Këtë javë Britania ka ndërmarrë veprime kundër disa individëve shqiptarë me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin. Mesazhi ynë: Veprimet kriminale nuk do të shkojnë pa pasoja. Së bashku me Shqipërinë, do të sigurohemi që askush të mos jetë mbi ligjin.” – thekson ambasada.

Kështu ngjashëm me SHBA-të, duket se edhe Britania do të fusë në listën e zezë personazhe të Shqipërisë.

Peach theksoi më herët se kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

“Në Shqipëri, me Reformën në Drejtësi, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byronë Kombëtare e Hetimit (BKH), -kemi hyrë tashmë në një etapë të re.” – tha Peach.