Ambasada amerikane mirëpret miratimin e hartës së re gjyqësore: Garanton drejtësi pa vonesë për qytetarët

Ambasada amerikane në Tiranë mirëpret miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore sot.

Ambasada thotë se harta e gjykatave të Shqipërisë u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi që përfshiu Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë, si dhe ndihmë teknike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës. Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit tre-vjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura.

Nga ana tjetër, sipas saj Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t'i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë.

Qeveria njoftoi sot se ka miratuar hartën e re gjyqësore, implementimi i së cilës do të nisë me faza.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka ngritur një grup specialistësh për të përgatitur dokumentet që do e çojnë hartën e re gjyqësore në Gjykatë Kushtetuese.

“Kjo është harta më e gabuar dhe vendimi më i gabuar. Pasojat për ne do të jenë tejet të rënda nëse kjo hartë do të aplikohet. Nuk u dëgjuan grupet e interesit. Hapi final do të jetë Gjykata Kushtetuese” tha kryetari i kësaj dhome Maks Haxhia.