Leli sfidon sërish socialistët, kundërshton projektin për bashkimin e ujësjellësve
Një vit para zgjedhjeve lokale të 2023, socialistët e Vlorës kanë nisur një tjetër betejë kundër llojit të tyre. Dritan Leli, i cili është përjashtuar nga Partia Socialiste, ka kundërshtuar një vendim të Këshillit Bashkiak për bashkimin e disa ujësjellësve.
Kreu i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli nuk po gjen qetësi me socialistët e Këshillit Bashkiak.
Një vit pas përplasjeve të ashpra të vitit 2021, debatet mes Lelit dhe socialistëve janë rikthyer këtë të enjte.
Shkak për këtë është bërë një reformë e ujëlsjellës-kanalizimeve të Vlorës, ku për shkak të borxheve të mëdha të akumuluara nga kjo ndërmarrje, socialistët e Këshillit Bashkiak kërkojnë krijimin e një shoqërie aksionere.
“Autorizohet kryetari të negociojë me dy apo më shumë shoqëri aksionere të vetëqeverisjes vendore qofshin këto të qarkut tonë ose jo të qarkut tonë.”
Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga Dritan Leli, ku përmes një letre drejtuar Këshillit Bashkiak I pari i Vlorës e quan të paligjshme këtë veprim.
Nënkryetarja e bashkisë Aulona Veizi, ka folur për atë që bashkia e quan paligjshmëri.
“Në Këshill ai është votuar pa ekzistuar. Projektvendimi I paraqitur nga ana juaj për vlerësimin e administratës së bashkisë ndoshta për shkak të ngutjes që ato kanë për ta miratuar me çdo kusht ose ndoshta nga moskuptimi I asaj që mund të arrihet. Konsiderohet si një vendim I marrë kundër dispozitave ligjore në fuqi.”
Teksa vendi ndodhet një vit para zgjedhjeve Lokale të 2023, kjo mesa duket do të jetë beteja e radhës e Dritan Lelit i zgjedhur nën logon e socialistëve, me ish-bashkëpunëtorët e tij.
