Erdhi dita e “dasmës” europiane! Rama me “krushqit” në Bruksel, konferenca e parë ndërqeveritare të martën
Të martën (19 korrik) BE do të ulet me delegacionin shqiptar në konferencën e parë ndërqeveritar, takim në të cilin do të prezantohet edhe kuadri negociues. Hapi i radhës për vendin tonë do të jetë hapja e kapitujve dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE nën monitorimin e unionit.
Të martën në Bruksel Shqipëria do të ulet në tryezën e takimit të parë ndërqeveritar me Bashkimin Europian për hapjen e negociatave.
Pas pranimit të propozimit francez nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut, union ka ftuar Shqipërinë për të praqitur dhe diskutuar kuadrin negociues.
Kryeministri, Edi Rama, së bashku me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka të shoqëruar edhe nga grupi i punës me në krye kryenegociatorin Zef Mazi do të jeën pjesë e delegacionit shqiptar që fluturojnë të hënën pasditë drejt Brukselit.
Në konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëria do të ketë përballë delegacionin e BE, i cili do të kryesohet nga ministri i Jashtëm çek, si përfaqësues i vendit që ka Presidencën e radhës të BE-së.
Ndërkohë nuk do të mungojë në këtë takim të parë edhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Josep Borrell si dhe Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi.
Pas takimit drejtuesit e BE sëbashku me kryeministrin Rama do të dalin para gazetarëve në një konferencë për shtyp rreth mesditës.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, ndërsa në marsin e vitit 2020 Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Pas takimit të parë të së martës grupi negociator i Shqipërisë, në nivel ndërinstitucional dhe ndërministror do të nisë punën për të bërë të mundur përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, duke nisur me hapjen e kapitujve sipas fushave të caktuara.
