Të dëmtuara nga tërmeti, BE ndan grantet për 11 projekte të trashëgimisë kulturore në Durrës, Kavajë, Krujë e Rrogozhinë
Bashkimi Evropian ka shpërndarë grantet për 11 projekte për trashëgiminë kulturore në Durrës, Kavajë, Krujë e Rrogozhine dhe për “Rigjallërimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në përgjigje të tërmetit të Shqipërisë 2019, 2020-2024”.
Ceremonia e ndarjes u zhvillua në Muzeun Arkeologjik të Durrësit ku u prezantuan 11 projektet fituese, të cilat në total kapin vlerën 590 mijë dollarë.
Projektet e financuara nga BE do të përqendrohen në zbutjen e efekteve negative që solli tërmeti i 26 nëntorit në trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e prezantimit të projekteve deklaroi se përgjatë këtyre viteve të vështira të rimëkëmbjes pas tërmetit, BE me programet e saj ka qenë një ndihmë e madhe për Shqipërinë dhe për trashëgiminë e pasur kulturore të saj.
Ndërsa shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, u ndal në fjalën e tij në rëndësinë që merr programi EU4Culture, jo vetëm për rehabilitimin e siteve arkeologjike të Shqipërisë, por edhe për t‘ kthyer ato në asete të rëndësishme të turizmit kulturor.
“Ky program na çon pas në kohë, në një ngjarje tragjike të 2 viteve e gjysëm më parë, tek tërmeti. Ne mblodhëm 40 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian jo vetëm për të rindërtuar dhe rijetësuar disa prej këtyre siteve arkeologjike të mrekullueshme, por për të shkuar përtej.Duhet ta përdorim këtë investim si një mundësi për të shkuar më tej, për t’i bërë këto site tërheqëse për vizitorët, por eedhe komunitetet lokale," tha ai.
Kjo ishte thirrja e parë për grante dhe pritet të pasohet në të ardhmen nga të tjera projekte që do të financohen nga BE.