“Ndizet" alarmi i zjarreve, vatra aktive nga jugu në veri, 5 qarqe me "llambë të kuqe”

Rritja e temperaturave rikthen alarmin e zjarreve që këtë të hënë u shfaqën nga jugu në veri. 5 Qarqe janë më të rrezikuarit për 2 ditët në vijim, sipas Instituti i Gjeoshkencave.

Me rritjen e temperaturave u rikthye edhe alarmi i zjarreve në pyje.

Flakët u shfaqën sërish këtë të hënë në malin e Krastës në Krujë.

Të ndihmuara nga era, një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha e shkurre u dogj.

Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshme, ashtu si në fillim të korrikut, kur zjarret që vijuan për disa ditë shkumbuan rreth 100 hektarë sipërfaqe.

Por në të dy rastet, asnjë piroman nuk ka përfunduar në pranga.

Një vatër zjarri u shfaq në një sipërfaqe të pyllëzuar është regjistruar në zonën e Oroshit në Mirditë që u vu nën kontroll.

Flakët janë shfaqur në Berishë të Sipërme, mbi liqenin e Komanit në Fierzë ku rrezikohet plantacioni me gështenja.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Dhjetëra hektarë tokë u dogjën si pasojë e vatrave zjarri që u shfaqën në  Plug të Lushnjes e Peshtan të Fierit.

Zjarri në Myzeqe dyshohet i vendosur nga fermeret për të pastruar toka hamullore, por flakët siç duket dolën jashtë kontrollit.

Ndërkohë  pasditen e së hënës një vatër zjarri ka përfshirë Kodrat e Spolte në Divjakë.

Përgjatë të dielës në vend u regjistruan tetë vatra zjarresh, më problematikja prej të cilave në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës.

Qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Berat janë më të rrezikuarit nga zjarret përgjatë 48 orëve të vijim, sipas Instituti i Gjeoshkencave.

Por kërcënimi i zjarreve është në të gjithë vendin.

Në kushtet e mungesës së kapaciteteve për ndërhyrje nga ajri, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes u kanë kërkuar bashkive për më shumë angazhim për tu përballur me situatat që mund të krijohen.