“Rama të mos provokojë partnerët ndërkombëtar”, Berisha: Të heqë dorë nga ligji për amnistinë
Një ditë para mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të mos provokojë Bashkimin Europian dhe partnerët e tjerë me amnistinë e parave kriminale.
Sali Berisha: Unë jam këtu gjithashtu për t’i kërkuar Edi Ramës, publikisht, që në përgjigje të këtij vendimi fisnik të vendeve anëtare dhe të BE, të mos guxojë të provokojë partnerët tanë, por të deklarojë menjëherë se ai heq dorë përfundimisht nga ligji i aministisë fiskale, kundër të cilit është shprehur hapur KE, janë shprehur qartë dhe vendet anëtare të BE-së, qoftë edhe me karrige bosh në takimin e tij të fundit. Janë shprehur kundër edhe partnerët tanë jashtë BE-së. Janë shprehur kundër Dhomat e Tregtisë së SHBA, Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe ato shqiptare.
Berisha u zotua se PD do ta shpallë të pavlefshme këtë nismë kur të vijë në pushtet, duke dërguar para ligjit këdo që ka përfituar. Ai tha se vendet e BE-së dhe partnerët tanë duhet të insistojë kundër nismës.
Sali Berisha: U bëj thirrje vendeve anëtare që të insistojë deri në fund kundër miratimit të këtij ligji që dëshmon lidhjet e tmerrshme të regjimit të Edi Ramës me organizatat kriminale brenda dhe jashtë vendit.
PD angazhohet se me të ardhur në pushtet, ajo do invalidojë këtë amnisti dhe do vendosë para ligjit të gjithë personave që kanë përfituar nga kjo amnisti.
Në nisje të konferencës për shtyp, kreu i demokratëve prezantoi Enri Cenon si Sekretar të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Partinë Demokratike.
